Deklaratë mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në kuadër të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara

DEKLARATË

MBI

OBJEKTIVAT E ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM NË
KUADËR TË AXHENDËS 2030 TË KOMBEVE TË BASHKUARA

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), të cilat hynë në fuqi në janar 2016, janë një grup i ri universal i synimeve ekonomike, sociale dhe mjedisore që shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara pritet të arrijnë deri në vitin 2030.

SDG-të edhe pse nuk janë të detyrueshme, ato përfaqësojnë një angazhim politik mbi zhvillimin nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Këto qëllime universale pritet të krijojnë një pikë referimi që siguron balancimin e zhvillimit ekonomik dhe qëllimeve globale mjedisore me objektivat e reduktimit të varfërisë.

Shqipëria i është bashkuar Partneritetit Global, i projektuar për të dhënë një kontribut në arritjen e Agjendës 2030 dhe mbetet plotësisht e angazhuar për zbatimin e saj dhe në kontekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe në procesin e Integrimit Evropian.

Deri më sot, diskutimet mbi SDG-të kanë qenë të lidhura kryesisht me përcaktimin e qëllimeve dhe treguesve. Më pak vëmendje i është kushtuar diskutimit të roleve dhe përgjegjësive që duhet të marrin partnerët social në arritjen e këtyre qëllimeve dhe zbatimit në nivel qendror dhe lokal këtë të kësaj kornize universale.

Duke pasur parasysh qëllimet dhe ambiciet e SDG-ve, është e qartë se Qeveria e vetme nuk mund t’i arrijë dhe t’i përmbushë këto qëllime. Ajo duhet të lehtësojë dhe të mundësojë pjesëmarrjen e të gjithë sektorëve të shoqërisë, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile (OShC), sektorin privat dhe publikun e gjerë.

Përfshirja e OShC-ve në këto procese është e domosdoshme, sepse ato luajnë rol vendimtar në shoqëri si agjentë të llogaridhënies, mobilizimit shoqëror, avokatësisë dhe ofrimit të shërbimeve.

Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile e konsideron hyrjen në Bashkimin Evropian si prioritetin kryesor dhe qëllimin më të rëndësishëm strategjik të vendit, pasi procesi i integrimit mbart konsensus të plotë politik dhe mbështetje mbarëkombëtare, duke u shndërruar në një mjet solid për të arritur një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për qytetarët e Shqipërisë.

Këshilli vlerëson përpjekjet e ndërmarra për të lidhur SDG-të me objektivat e integrimit në BE, duke iu referuar Strategjisë Kombëtare për Integrimin Evropian 2014-2020.

Në këtë proces, shoqëria civile luan një rol kritik në nxitjen e advokimit dhe ndërmjetësimit në zhvillimin e politikave publike, identifikimit të prioriteteve kryesore të zhvillimit dhe prezantimet të alternativave për zgjidhje praktike të problemeve prioritare.

Në mënyrë të veçantë nxisim OShC-të të punojnë për t’i përmbledhur këto qëllime në katër fusha kryesore:

  1. duke u dhënë një zë qytetarëve më të varfër dhe më të margjinalizuar,
  2. duke shërbyer si agjentë të llogaridhënies,
  3. duke vepruar si ofrues shërbimesh dhe
  4. duke monitoruar zhvillimin përmes mbledhjes së të dhënave dhe raportimit.

Një vëmendje të veçantë merr për ne iniciativa që paraprin objektivin e Zhvillimit të Qendrueshëm: “Leave no one behind”“Askush i braktisur”, që reflekton ambicjen për një proces gjithëpërfshirës, ku qeveria hyn në partneritet me të gjithë sektorët e shoqërisë e ku “Agenda 2030” e thekson qartë rolin e shoqërise civile për të përfshirë në këtë iniciativë të gjithë grupet e interesit, por kryesisht ata në nevojë.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të krijohen mundësi, hapësira dhe platforma për të mbështetur fuqizuar dhe angazhuar shoqërinë civile në mënyrë që të promovohet dialogu, bashkëpunimi i qëndrueshëm ndërmjet OSHC-ve dhe Qeverisë për të nxitur pjesëmarrjen e komunitetit në drejtim të përmirësimit të qeverisjes.

SDG-të përbëjnë një referencë globale legjitime për OSHC-të, të cilat mund të propozojnë përshirjen e shumë çështjeve në rrafshin e hartimit të politikave. OSHC-të duhet të identifikojnë përmirësime dhe ndërhyrje që mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm për njerëzit në nevojë duke përkthyer zërin e qytetarëve të varfër dhe të margjinalizuar në argumente racionale për t’u adresuar nga pushteti qendror dhe lokal.

Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile vlerëson si të rëndësishëm zhvillimin e marrëdhënieve dhe partneritetit me qeverinë qendrore dhe lokale, dhe në veçanti, identifikimin e strukturave të qeverisë, aktorëve apo institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që has shoqëria.

Ne inkurajojmë të gjitha përpjekjet e shoqërisë civile për të luajtur rolin kritik dhe transformues në shoqërinë shqiptare duke u përfshirë në proceset e konsultimit dhe advokimit, duke mundësuar informimin, ngritjen e kapaciteteve dhe të pjesmarrjes aktive të qytetarëve në proceset vendimarrëse dhe përmbushjes së SDG-ve.

Në linjë me zbatimin e SDG-ve, mbledhja e të dhënave, raportimi dhe monitorimi duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent që përfshin ekspertë statistikorë, OSHC-të, institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut, ofruesit e shërbimeve dhe qytetarët.

Në këtë proces, përtej kontributit dhe ekspertizës në mbledhjen e të dhënave, OShC-të gjithashtu nxiten që të marrin një rol të rëndësishëm në monitorimin e drejtpërdrejtë të zbatimit të SDG-ve. Ne nxisim Kuvendin, Qeverinë qendrore dhe lokale si dhe të gjitha institucionet publike që të raportojnë me transparencë, objektivitet përmbushjen e SDG-ve duke krijuar të gjitha hapsirat e mundshme për pjesëmarrje, dialog dhe konsultim me OShC-të në të gjithë Shqipërinë.

Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile e vlerëson si thelbësore zhvillimin e rolit të sektorit të shoqërisë civile në zbatimin efektiv të SDG-ve si dhe domosdoshmërinë për rritjen e angazhimit, ndikimit dhe efektivitetit të saj në proceset e zhvillimit të vendit. Në këtë kuadër, Këshilli konfirmon gatishmërinë, angazhimin dhe vullnetin e palëkundur për të ofruar dhe mundësuar asistencën e organizatave të shoqërisë civile përgjatë të gjithë procesit të përmbushjes së SDG-ve përmes njohurive dhe eksperiencave sipas fushave që ky Këshill mbulon.

 


 

Deklaratë mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në kuadër të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara

 

Declaration On United Nations 2030 Agenda For Sustainable Development Goals