Iniciativa “Rritja e aksesit të qytetarëve në drejtësi përmes edukimit ligjor të publikut”

Emri i Organizatës së Shoqërisë Civile:
Qendra ALTRI – Albanian Legal and Territorial Research Institute

INTERVISTË ME:

Znj. Eda Noçka
Drejtore Ekzekutive – Qendra A.L.T.R.I

 Çfarë është kjo iniciativë?

Iniciativa “Rritja e aksesit të qytetarëve në drejtësi përmes edukimit ligjor të publikut”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

 

Qëllimi i iniciativës është:

  • të rrisë aksesin e qytetarëve në drejtësi duke plotësuar kuadrin strategjik për edukimin ligjor të publikut në Shqipëri;
  • ndërmarrjen e hapave të parë që çojnë në zbatimin e këtij kuadri strategjik.

Aksesi i publikut në njohuritë mbi ligjin, është themelor për garantimin e një sistemi drejtësie efektiv. Kështu, informimi dhe dhënia e njohurive për ligjin, mbi të drejtat, institucionet ligjzbatuese, përgjegjësitë, etj, janë përbërësit e kulturës dhe nevojës qytetare për qasjen ndaj shtetit të së drejtës.

Strategjia e Edukimit Ligjor të Publikut është dokumenti i parë strategjik i hartuar me fokus të veçantë në edukimin ligjor të qytetarëve si dhe është pjesë e paketës së projekt-akteve të hartuar në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Nëpërmjet kësaj iniciative synohet mbështetja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në procesin e hartimit të Strategjisë të Edukimit Ligjor të Publikut dhe Planit të Veprimit të saj, nëpërmjet një procesi konsultimi gjithëpërfshirës, të lehtësuar nga organizata të shoqërisë civile anëtare të Koalicionit “Drejtësi për të gjithë”.

Iniciativa synon gjithashtu, të sigurojë zbatimin fillestar të këtyre dokumenteve strategjikë nëpërmjet trajnimit të punonjësve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tyre dhe informimit e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi rëndësinë e këtyre dokumenteve dhe të edukimit ligjor të publikut, në përgjithësi.

 

Çfarë është bërë deri më sot?

  • Është hartuar projekt-Strategjia e Edukimit Ligjor të Publikut;
  • Ky dokument i është nënshtruar një procesi konsultimi publik gjithëpërfshirës nëpërmjet:
    1. Zhvillimit të takimeve publike konsultuese për përmirësimin e përmbajtjes së saj;
    2. Konsultimit online.
  • Është hartuar Plani i Veprimit të Strategjisë të Edukimit Ligjor të Publikut;
  • Ky dokument i është nënshtruar një procesi konsultimi publik gjithëpërfshirës nëpërmjet:
    1. Zhvillimit të takimeve publike konsultuese për përmirësimin e përmbajtjes së tij;
    2. Konsultimit online.

Procesi i hartimit dhe i përmirësimit të vazhdueshëm të përmbajtjes të Strategjisë të Edukimit Ligjor të Publikut dhe Planit të Veprimit të saj është karakterizuar nga gjithëpërfshirja e institucioneve publike e të pavarura, akademikëve, ekspertëve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtare që kanë njohuri apo veprojnë në fushën e edukimit ligjor të publikut.

 

Cilat janë aktivitetet e ardhshme të planifikuara në kuadër të kësaj iniciative?

Aktivitetet e ardhshme të planifikuara janë:

  • Menjëherë pas miratimit të Strategjisë të Edukimit Ligjor të Publikut dhe Planit të Veprimit të saj, do të trajnohen punonjësit e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre dokumenteve;
  • Do të zhvillohet një fushatë informimi e ndërgjegjësimi qytetar mbi rëndësinë e këtyre dokumenteve dhe të edukimit ligjor të publikut, si dhe,
  • Do të përcaktohen hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë në kuadër të edukimit ligjor të publikut.

 

Si mund të angazhohen qytetarët në këtë projekt?

Qytetarët janë të inkurajuar të jenë pjesëmarrës aktivë të zhvillimit të këtij projekti, nëpërmjet:

  • Pjesëmarrjeve në takimet konsultuese;
  • Dërgimeve të mendimeve/komenteve online;
  • Diskutimeve me grupin e ekspertëve;
  • Pjesëmarrjeve në fushatën e informimit e ndërgjegjësimit qytetar.

 

FOTO GALERI