Organizata “Intelektualët e rinj, Shpresë”

Emri i Organizatës së Shoqërisë Civile:
Organizata “Intelektualët e rinj, Shpresë”

INTERVISTË ME:

Z. Blendi Dibra
Drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Intelektualët e rinj, Shpresë”,
njëherazi dhe ZëvendësKryetar i Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKShC)

 

Vendi ynë po kalon sfida dhe faza shumë të rëndësishme zhvillimi, duke kryer reforma thelbësore për t’u përafruar sa më shumë drejt qëllimit final, integrimi në Bashkimin Evropian. Shoqëria Civile është sektori i tretë, i cili ka një rol të pa zëvendësueshëm me kontributin që jep për suksesin e  reformave. Këtij qëllimi i shërben dhe krijimi i KKSHC-së, ku ju bëni pjesë dhe jeni zgjedhur zëvendëskryetar.

Si lindi ideja për të qenë pjesë e KKSHC, ka qenë dëshira juaj apo propozim nga Organizata të Shoqërisë Civile në Qarkun Shkodër?

Të qenurit pjesë e KKSHC-së e kam konsideruar gjithmonë si një sakrificë për t’i dhënë zhvillimit të shoqërisë civile një tjetër dimension duke kontribuar në institucionalizimin e dialogut ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile. Prej rreth dy dekadash kontriboj në zhvillimin e shoqërisë civile dhe përvoja e fituar më ka dhënë besimin e duhur për të kontribuar si pjesë e KKSHC-së. Ky besim gjeti mbështetje nga organizata të shoqërisë civile që kontribojnë në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë gjej rastin t’i falënderoj shumë për mbështetjen jashtzakonisht të madhe që më kanë dhënë.

 

Nga momenti i krijimit, a ka pasur diçka interesante që të ka mbetur në mendje, që të ka bërë përshtypje dhe që do doje ta veçoje? Vështirësitë që keni hasur

Të fillosh diçka nga e para nuk është aspak e lehtë. Për mua kjo ka qenë një sfidë dhe si e tillë sigurisht që do të lundrosh ndërmjet momenteve zhgënjyes dhe atyre inkurajuese, të cilat të japin besimin e munguar se gjerat po ecin në rrugën e duhur. Një ndër faktorët kryesorë që ka dhënë ndihmesë të pakursyer në zhvillimin e KKSHC ka qenë përkrahja nga Bashkimi Evropian, ku ecuria e këtij Këshilli është përmendur në mënyrë të veçantë nga dy progres raportet e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Progres raporti i fundit e ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KKSHC-së dhe si i zgjedhur në këtë pozicion sigurisht që ka qenë mjaft inkurajuese për vazhdimin e punës që kemi nisur.

 

Të qenurit ZëvendësKryetar do të thotë më shumë sfida dhe përgjegjësi?

Gjithmonë kur zgjidhesh në një pozicion të tillë fillon pjesa më e vështirë pasi njëkohësisht duhet të justifikosh zgjedhjen e bërë por edhe do të jesh i aftë që të pasqyrosh progresin e arritur. Fillimi i punës është mjaft premtues pasi ndonëse në një periudhë të shkurtër që nga zgjedhja ime si zëvendëskryetar i KKSHC-së në 26 dhjetor 2017 besoj që progresi është i dukshëm ndonëse është vetëm fillimi.

 

Ju jeni, gjithashtu dhe drejtues i një Organizate, e cila ka aktivitet të gjerë në sektorin e shoqërisë civile, nëpërmjet nismave/projekteve që ka kryer apo që i ka në zbatim  sipër. Cila eshte inciativa e juaj që e keni më për zemër? Çfarë ju shtyn për këtë projekt?

Më duhet të theksoj se përvojën time në zhvillimin e shoqërisë civile e kam materializuar edhe nëpërmjet aktivitetit tim në fushën akademike ku jam përfshirë si lektor në disa universitete private dhe publike. Tema ime e doktoraturës të cilën e kam punuar me shumë pasion është “Pjesmarrja e publikut në qeverisjen lokale”. Në këtë punim analizohen nga këndvështrimi i të drejtës koncepti i pjësmarrjes së qytetarëve në qeverisje.

Rezulton se pjesmarrja qytetare bazohet në zbatimin e tre të drejtave themelore:

  1. E drejta për informim,
  2. E drejta për pjesëmarrje në vendimarrje dhe
  3. Aksesi në Drejtësi

Nëpërmjet projekteve që janë zbatuar me organizatën time “Intelektualët e rinj, Shpresë” (IRSH) ku unë jam Drejtor Ekzekutiv jam përpjekur që punimin tim ta zbatoj në praktikë.

Sa i takon zbatimit të së drejtës së informimit mund të them se organizata IRSH është organizata më e mirë në nivel kombëtar në drejtim të rritjes së nivelit të transparencës në nivel lokal. Në sajë të përpjekjeve aktive të IRSH-së duke imponuar Bashkinë Shkodër në rritjen e nivelit të transparencës, kjo bashki është vlerësuar si bashkia më transparente në nivel kombëtar në vitin 2017.

Nga ana tjetër Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka vlerësuar IRSH-në si organizatën më aktive në drejtim të formulimit të ankimeve ndaj autoriteteve publike të cilat kanë mohuar të drejtën e informimit.

Po ashtu në drejtim të ushtrimit të së drejtës së qytetarëve për pjesëmarrjen në vendimarrje, IRSH ka monitoruar procesin e konsultimeve në Bashkinë Shkodër. Si rezultat i punës së IRSH-së procesi i konsultimeve ka njohur progres duke u rritur në mënyrë progresive zbatimi i atyre kritereve të përcaktuara në ligj.

Në drejtim të përmirësimit të aksesit në drejtësi shoqata IRSH sapo ka përfunduar raportin mbi transparencën në Gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër si dhe në Gjykatën administrative të shkallës së parë Shkodër, ku gjatë aktivitetit monitorues dhe ndërgjegjësimit të institucioneve të drejtësisë u bë e mundur brenda një afati të shkurtër kohor të rritet transparenca e këtyre institucioneve.

Iniciativa jonë e ardhshme do të jetë ngritja një klinike ligjore e cila do të ofrojë shërbime për grupet vulnerabël për rritjen e aksesit në drejtësi si dhe pëmirësimit të aksesit të tyre tek shërbimet publike.

Si një nga sfidat kryesore të vendit tonë për zbatimin e reformës në drejtësi sigurisht që kontributi për përmirësimin e sistemit gjyqesor dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia mbetet një nga objektivat kryesorë të angazhimit tim në të ardhmen.

 

Si e kujtoni momentin kur vendosët të bëni një projekt të tillë? Çfarë nxiti dëshirën dhe fantazinë tuaj?

Sot flitet shumë për të drejtat e qytetarëve, rolin që ato duhet të luajnë, përfshirjen e tyre në vendimarrje, përmirësimin e shërbimeve publike si dhe rritjen e besimit ndaj institucioneve. Për të garantuar të drejtat të cilat duhet që të gëzojnë qytetarët, nevojitet që të ndërtohet një shtet i së drejtës ku sistemi i drejtësisë të krijojë të gjithë besimin e duhur në garantimin e këtyre të drejtave. Reforma në drejtësi përbën sfidën kryesore të vendit tonë duke pastruar sistemin nga ata individë të cilët kanë krijuar përfitime të padrejta.

Nga ana tjetër qytetarët duhet që të ndjekin të gjitha kanalet demokratike për ushtrimin e të drejtave që u njeh ligji si dhe për marrjen e atyre shërbimeve të cilat u takojnë. Duke parë një situatë të tillë ku sistemi i drejtësisë ndeshet me probleme të shumta, të tilla si korrupsioni, mosrespektimi i afateve, tarifat e shtrenjta dhe nga ana tjetër qytetarë të cilët ndodhen ndërmjet nevojës për drejtësi dhe dilemës për të blerë atë lindi ideja për të ngritur një klinikë ligjore e cila do synojë ofrimin e atyre shërbimeve për të cilat grupe vulnerabël e kanë të domosdoshme për garantimin e të drejtave të tyre.

Shërbimet që do të ofrohen nga kjo klinikë e ligjit nuk do të fokusohen vetëm në përmirësimin e aksesit në drejtësi, por edhe në aksesin në shërbimet publike të cilat ofrohen nga institucione lokale apo qendrore. Nëpërmjet këtij projekti, problematikat që do të rezultojnë do të synohet që të promovohen nëpërmjet mediatizimit të tyre dhe lëvizjes së mekanizmave ligjorë duke synuar jo vetëm zgjidhjen e një rasti individual por edhe të problematikës në përgjithësi.

 

Cila grup-moshë përfshihet? A është e vështirë te punohet me …? Vetëm apo më mirë me partnerë?

Në këtë projekt fokusi kryesor do të jenë të rinj, gra, romë dhe egjiptian të cilët përballen me probleme sociale, kanë vështirësi ekonomike apo jetojnë në zona rurale me vështirësi aksesi.

Sigurisht që vështirësitë e trajtimit të problemeve të tyre dihen, por zgjidhja mbetet një sfidë jo vetëm në nivel profesional por edhe në aspektin social dhe shoqëror.

Besoj se puna nëpërmjet ndërtimit të partneriteteve ka shumë më tepër rezultate. Po ashtu edhe në këtë projekt preferojmë që të punojmë me grup partnerësh organizata lokale dhe ndërkombëtare, institucione të arsimit të lartë, autoritete publike në nivel qendror dhe lokal etj.

 

Si janë organizuar aktivitetet?

Si hap i parë do të jetë ngritja e Klinikës Ligjore. Si pjesë e aktiviteteve të saj përveç shërbimeve ligjore ndaj qytetarëve do të ofrohen edhe trajnime për organizata jo-fitimprurës lokale duke i aftësuar ato që të ndërmarrin aktivitete në drejtim të përmirësimit të aksesit në drejtësi. Po ashtu studentë dhe të sapodiplomuar të Fakultetit të Drejtësisë do të jenë pjesë e shërbimeve të Klinikës Ligjore duke i ndihmuar ata që të fitojnë shprehitë e duhura praktike në drejtim të shërbimit ligjor ndaj qytetarëve.

 

Pse mendoni se ky projekt do të ketë rezultat?

Organizata që unë drejtoj “Intelektualët e rinj, Shpresë” që nga viti 2015 ka filluar që të orientohet në mënyrë aktive në drejtim të promovimit të mekanizmave ligjorë për të ushtruar të gjithë presionin e duhur që autoritetet publike të zbatojnë ligjin duke rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Kujtoj këtu që kur filluam të monitorojmë nivelin e transparencës në Bashkinë Shkodër, nga 28 kritere që kishte ligji nuk ishte asnjë prej tyre i plotësuar. Nëpërmjet përpjekjeve tona ligjore, komunikimeve formale dhe ankimeve tek Komisioneri për Mbrojtjen e të Drejtës së Informimit, Bashkia Shkodër ka arritur një progres të dukshëm ku pothuajse të gjitha kriteret e ligjit për të drejtën e informimit janë tashmë të plotësuara.

Po ashtu një rast specifik të trajtuar nga organizata që unë drejtoj është rritja e transparencës në “Klubin e futbollit Vllaznia” një shoqëri aksionere me 100% të aksioneve nga Bashkia Shkodër, e cila shpenzonte 8% të buxhetit vjetor duke mos përmbushur asnjë objektiv as atë financiar, sportiv si dhe atë publik. Për herë të parë pas publikimit të raportit të realizuar nga shoqata “IRSH” Bashkia Shkodër mori në konsideratë rekomandimin e këtij raporti duke deklaruar fillimin e procesit të privatizimit të kësaj shoqërie ku tashmë është hedhur edhe hapi i parë zyrtar. Për herë të parë pas publikimit të këtij raporti Kontrolli i Lartë i Shtetit mori në konsideratë rekomandimin e këtij raporti për të audituar këtë shoqëri e cila nuk ishte audituar as edhe njëherë të vetme!

Një tjetër iniciativë ligjore e ndërmarrë nga organizata IRSH është edhe kërkesa dhe peticioni i drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi për të respektuar ligjin për barazinë gjinore në emërimin e administratorëve. Duke qenë se kjo kërkesë është refuzuar nga ana e Kryetares së Bashkisë Shkodër, i jemi drejtuar me një ankim Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ku tashmë sapo kanë filluar procedurat ligjore në shqyrtimin e ketij ankimi!

Pra të gjitha këto hapa tregojnë se edhe iniciativa jonë e ardhshme për krijimin e një Klinike Ligjore do të ketë sukses dhe rastet të cilat do të paraqiten do të kenë vemendjen maksimale duke i adresuar nëpërmjet përdorimit të të gjitha instrumentave ligjorë duke synuar jo vetëm zgjidhjen e rastit specifik por edhe të problemit të shfaqur në përgjithësi.

 

Cilat mendoni se do të jenë vështirësit kryesore në realizimin e këtij projekti?

Në radhë të parë jam i ndërgjegjshëm që për të arritur diçka konkrete nuk do jetë e mundur brenda një kohe të shkurtër. Duhet kuptuar se zhvillimi i iniciatvave të tilla ligjore rezultatet e tyre nuk janë të menjëhershme duke qenë se procedurat kërkojnë kohën e duhur. Nga ana tjetër qytetarët e kanë humbur besimin tek drejtësia dhe për t’i rikthyer ata që t’i drejtohen sistemit sigurisht përbën një proces të komplikuar.

Pra nuk është një projekt i lehtë, por besoj shumë se do të jetë një iniciativë që do i shërbejë qytetarëve dhe do të ndihmojë ata por edhe OJF-të që t’i japin një dimension tjetër pjesëmarrjes së tyre në qeverisje duke pëmirësuar aksesin në drejtësi jo vetëm si një mënyrë për të ndihmuar qytetarët por edhe për të ekuilibruar ekzekutivin.

 

FOTO GALERI