Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar – “Jo vetëm teatër…”

Emri i Organizatës së Shoqërisë Civile:
Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar

INTERVISTË ME:

Z. Edmond Xhumari
Drejtor Organizativ i “BUTRINTI SUMMER FESTIVAL”

 

“Jo vetëm teatër…”

Përshëndetje,
Së pari ju falënderoj që shprehët dëshirën të bëheni pjesë e platformës tonë për promovimin e punës tuaj.

 

Kë përfaqësoni dhe çfarë bën organizata juaj?

Unë përfaqësoj Qendrën Kombëtare të Teatrit Mesdhetar, e cila që nga viti 2000 organizon një aktivitet kulturor me vlera të veçanta për vendin tonë pasi realizohet në  dy nga 3 monumentet e UNESCO-s që ka Shqipëria, siç janë Teatri Antik i Butrintit dhe Qendra historike e qytetit të Gjirokastrës.

 

Si lindi ideja për këtë projekt dhe cili është konkretisht aktiviteti kulturor që Qendra ka organizuar? Keni partnerë në këtë event?

Nisur nga nevoja për promovimin e artit dhe kulturës dhe krijimit të një mjedisi promovues i turizmit kulturor, prej 15 vitesh, Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar ka organizuar Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “BUTRINTI 2000”, falë ndihmës së qeverisë shqiptare  dhe donatorëve, duke e kthyer në një  arenë ballafaqimi të artit dhe kulturës për mbarë  rajonin dhe më gjerë.

Për organizimin e këtij festivali Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar në këto 15 vite ka bashkëpunuar me partnerë të ndryshëm si Parku Kombëtar Butrinti, Bashkia Sarandë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare etj.

 

Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara dhe suksesi që ju keni arritur, cili është plani i Qendrës tuaj për këtë festival?

Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara dhe sidomos  të edicionit të fundit, ku kishim një bashkëpunim mjaft të frytshëm me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare e Turizmit bazuar dhe në eksperiencën më të mirë të vendeve që e kanë shumë të zhvilluar turizmin kulturor si: Kroacia, Franca , Mali i Zi, etj. për të patur një impakt akoma më të gjerë për publikun e sidomos për turistët vendas dhe të huaj, stafi organizativ ka menduar të shndërrojë  Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000” në “BUTRINTI SUMMER FESTIVAL”, një aktivitet Multikulturor, i cili përfshin një gamë më të gjerë aktivitetesh kulturore.

 

Çfarë synon të arrijë Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar me organizimin e këtij aktiviteti multikulturor?

Me organizimin i këtij eventi multikulturor ne synojmë që të vendosim “BUTRINTI SUMMER FESTIVAL” në axhendën apo hartën kulturore të agjencive  turistike vendase dhe të huaja, me qëllim që, turistët të cilët do të vizitojnë Shqipërinë të jenë të informuar që perveç bukurive natyrore apo bregdetit të mrekullueshëm, ofron mundësi shumë atraktive, siç është dhe turizmi kulturor.

Ky projekt  për nga përmasat e vendeve pjesëmarrëse por mbi të gjitha për vlerat që synon të transmentojë tenton ta orientojë dhe shnderoje qytetin Antik të Butrintit në qendër të artit Mesdhetar.

 

Cilat janë grupet pjesëmarrëse?

Edicioni i 16–të  i  “BUTRINTI  SUMMER FESTIVAL” do të zhvillohet në datat 7  – 15  Korrik  2018  Në këtë vit do të marrin pjesë  trupa teatrore nga Ukraina, Franca, Polonia, Rumania, Greqia, Serbia, Kosova, Shqipëria. Brenda këtij aktiviteti me vlera unike, do të zhvillohen edhe veprimtari të tjera si: Koncert Flamengo – Spanjë, shfaqje në qytetin e Sarandës, Himarës dhe Gjirokastrës  si dhe për herë të parë në Tiranë.

Do të jenë  të ftuar gazetarë, operatorë turistikë, fotoreporterë, stafe televizive të huaj dhe specialistë që merren me turizmin, të cilët do të bëjnë një tur njohës dhe informues duke vizituar monumentet e Kulturës në Sarandë, Gjirokastër dhe Himare si dhe bregdetin e mrekullueshëm të Rivierës.

 

A mendoni se pas këtij Festivali vlerat e trashëgimisë tonë kulturore dhe bukuritë e vendit tonë do të jenë promovuar më shumë duke ndikuar rrjedhimisht dhe në shtimin e numrit të turistëve?

Zhvilluar në sezonin turistik, ky festival është një faktor tepër i rëndësishëm në promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë së pasur kulturore, mjedisit shumë të bukur të vendit tonë, rrjedhimisht, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në prurjen e shumtë të turistëve të huaj.

Ne promovojme bregdetin e mrekullueshëm të Rivierës, behemi atraktivë dhe shumë interesantë për mbarë botën, realizojmë promovimin e turizmit kulturor në vendin tonë në mënyrë që të kemi një turizëm të qëndrueshëm dhe aftagjatë.

 

A ja vlen organizimi i këtij festivali? Çfarë mund të bëni më shumë se kaq?

Natyrisht. Organizimi i këtij festivali ka shumë përfitime. Ai sjell rritjen e numrit të turistëve dhe kjo ndikon në  përmirësimin e anës ekonomike të bizneseve, rrjetit tregtar, turizmit familjar, hoteleve dhe restoranteve të Sarandës, Himarës, Gjirokastrës e më gjerë.

Duke qenë se aktiviteti është i bashkërenduar me  sezonin turistik në një nga qytetet më atraktivë të vendit, aktiviteti është njëkohësisht një ofertë e drejtpërdrejtë për flukse turistike të shtuara nga vendet pjesëmarrëse në festival dhe më gjerë.

 

FOTO GALERI