Shoqata “Mjedis, Ujëra, Pyje” Përmet

Emri i Organizatës së Shoqërisë Civile:
Shoqata “Mjedis, Ujëra, Pyje” Përmet

INTERVISTË ME:

Z. Ali Delilaj
Kryetari i Shoqatës “Mjedis, Ujëra, Pyje” Përmet

Cili është projekti juaj më i suksesshëm?

Gjatë periudhës tetëvjeçare si shoqatë kemi kryer një sërë projektesh, ku aktualisht ato kanë lënë gjurmë pozitive në komunitet dhe kanë shërbyer drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe në rritjen ekonomike të tij, për zhvillimin e shërbimin shëndetësor të komunitetit, për trashëgiminë e traditës për mbajtjen gjallë të trëndafilit dhe lules autoktone përmetare.

Me përfundimin e projektit të burimit të ujrave termale në Lengaricë pati rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj dhe vendas, të rritjes së sasisë së ujit të pijshëm për blektorinë për periudhën e thatë në malin e Trebeshinës, të pastrimit të kullotave dhe pyjeve si dhe bërja e Planeve Operacionale për administrimin dhe trajtimin e pyjeve në ish komunat Frashër, Çarçovë, Ballaban, Sukë etj.

Në punën e bërë si shoqatë vlerësoj tri projekte:

  1. Menaxhimi i qëndrueshëm i peisazhit të burimeve termale, vlerë e shtuar natyrore, ekonomike e sociale për zhvillimin e turizmit e të turizmit shëndetësor në shërbim të komunitetit.
  2. Rijetëzimi i trashëgimisë së luleve të traditës – ndikon në edukimin e të rinjve dhe   turizmin mjedisor
  3. Ndërtimi i lerave dhe koritave dhe përmirësimi i kullotave në malin e Trebeshinës ndikim drejtpërdrejt të rritjes së prodhimit të produkteve blegtorale në komunitet.

Por i mbivlerësuar mbetet projekti i parë, i cili është bërë dhe promotor për zhvillimin e turizmit në qytetin e Përmetit e në veçanti në Kanionin e Lengaricës dhe të Burimeve  termale.

Qëllimi kryesor i  projekti për ndërhyrjen tek burimet termale është:

  • Ndërgjegjësimi i komunitetit vendor, rajonal e kombëtar për vlerat kurative, turistike, ekonomike e social-kulturore të ujërave termale
  • të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve dhe të frekuentuesve të tyre, që të arrijmë që turizmi shëndetësor të jetë  një destinacion dhe  jo  opsion  për  ujrat  termale në luginën  e  Lengaricës.

Sistemimi i dy burimeve termale, ai i Lëkurës dhe i Stomakut në Kanionin Lengaricë investuar nga REC Albania ndikoi në rritjen e ndërgjegjshmërisë së ambjentalistëve dhe në veҫanti te të rinjtë për zhvillimin mjedisor, ndikoi pozitivisht në shtimin e turistëve të huaj, kryesisht gjermanë, polakë, çekë, izraelitë, italianë etj. në frekuentimin e ujrave termale shumica vendas dhe të huaj  dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor gjatë periudhës maj – 15 shtator.

Në vitin 2014, kur u bë investimi numri i turistëve nuk i kalonte 5000 – 6000 veta, numri i frekuentuesve të llixhave për kurim nuk i kalonte 12000 – 15000 persona. Aktualisht dy vitet e fundit numri i turistëve i kalon 20000 persona dhe ai i i frekuentuesve të ujrave 35000 persona. Burimi i Lëkurës në ҫdo moment frekuentohet jo më pak se 150 persona të të gjitha moshave, kurse ai i Stomakut jo më pak se 50 persona.

Ky investimi i dhënë nga REC dhe i zbatuar nga Shoqata  “Mjedis, Ujëra, Pyje” Përmet , jo vetëm dyfishoi numrin e frekuentuseve dhe turistëve, por fotoja e objektit, duke u publikuar në televizione e gazeta prestigjoze  evropiane e amerikane, nga Kryeministri dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Zyra të ndryshme turistike është përdorur si thirrje për frekuentimin e Shqipërisë nga turistë jo vetëm evropianë por edhe më gjerë. Fotot e këtij investimi janë duke u përdorur për reklamë per t’u vizituar Shqiperia nga turistët e huaj.

E quaj projektin të suksesshëm se ka ndikuar:

  • në rritjen e ndjeshme të turistëve dhe frekuentuesve
  • ka ndikuar në rritjen ekonomike në qytet dhe në zonë
  • videot dhe fotot e objektit: të trasmentuara në televizionet kombëtare dhe lokale, të hedhura në rrjetet sociale, të reklamuara në shtypin e shkruar vendas e atë ndërkombëtar në gazeta dhe revista prestigjoze, Përmeti dhe në veҫanti Kanioni i Lengaricës janë bërë objek kryesor i turistëve vendas dhe të huaj.

 

Si lindi ideja për këtë projekt?

Gjendja e keqe e burimeve termale të cilat paraqiteshin ashtu siҫ i kishte krijuar natyra, kushtet e këqija për t’i shfrytëzuar, higjena shumë e keqe rreth burimeve termale dhe kryesorja dëshira e madhe e frekuentuesve për t’i shfrytëzuar ato për të kuruar në trupin e tyre sëmundjet e reumatizmës, stomakut apo të lëkurës. Pas disa diskutimesh me anëtarë të shoqatës, me frekuentues të burimeve termale, por në veҫanti me njohës të burimeve termale, me mjekë dhe inxhinierë hidro më lindi ideja e bërjes se  projektit, ku e paraqita në katër fondacione dhe agjenci, të cilat investonin; m’u pergjigj REC Albania.

 

Si e kujtoni momentin kur vendosët të bëni një projekt të tillë? Çfarë nxiti dëshirën dhe fantazinë tuaj?

E quajta vehten mjaft të vlerësuar nga REC kur më dhanë përgjigje pozitive dhe mjaft i vlerësuar nga komuniteti përreth dhe në veҫanti nga frekuentuesit e burimeve termale. Fantazi kam për ҫdo punë që bej, por deshira ime është që puna e nisur për rregullimin e burimeve termale të perfundojë. Janë tetë burime (nga të cilët vetëm dy janë rregulluar) në të cilët duhet të ndërhyet. Edhe pse nuk kam reshtur së paraqituri projekte kudo dhe vazhdimisht në institucione shtetërore, fondacione, agjenci e shoqata, kanë rënë në vesh të shurdhët me kthimin e një përgjigje jo korrekte, profesionale dhe dashamirëse,  por mjaft nënvleftësuese.

Nuk jam dorezuar. Për burimet termale dëshira ime është të perfundojnë ku do të ndikojnë drejtpërdrejtë në fuqizimin e turizmit shëndetësor, në rritjen e turistëve të huaj mbi 30000 persona, kurse numri i frekuentuesve vendas të cilët vijnë po thuaj nga të gjitha rrethet,  do të dyfishohet me numrin aktual që është sot.

 

Cila grup-moshë përfshihet? A është e vështirë te punohet me …? A është më mirë vetëm apo me partnerë?

Burimet termale  frekuentohen gjatë gjithë vitit,  por piku i tyre është 15 maj – 15 shtator, ku ҫdo ditë janë 250 – 300 persona. Pa u zbatuar projekti, burimet termale shfrytëzoheshin nga një grup i vogël i moshës së vjeter, pra mbi 50 vjeҫ. Aktualisht frekuentimi është nga të gjitha moshat, prandaj dhe këmbëngul që nga kushdo qoftë duhet të investohet për përfundimin e rregullimit të burimeve.

Jo vetëm për shoqatën që unë drejtoj, por për të gjitha shoqatat e tjera të Përmetit është shumë vështirë të punojnë apo të realizojnë një dëshirë apo objektivat e tyre në drejtim të komunitetit, se ndihma është pothuaj e papërfillshme, por jemi edhe të nënvleftësuar.

Gjithmon me partnerë ështe mirë të punohet, se edhe në familje po nuk punuan të gjithë pjestarët e saj bashkë ajo është e falimentuar.

 

Si janë organizuar aktivitetet? Kujtoni ndonjë histori apo moment që ju ka lënë mbresa apo që keni hasur vështirësi gjatë zhvillimit të aktiviteteve?

Krahas investimit, projekti u shoqërua me aktivitete të ndryshme, ku dy tre ishin më të rëndesishmit, takimi me komunitetin e fshatit Bënjë, aktiviteti muzikor ditën e inaugurimit të investimit si dhe ekspozita me piktura e organizuar në natyrë nga të rinjtë e shoqatës. Moment i veҫantë ishte pyetja e një turisti izraelit,  se përse janë vendosur pikturat nëpër pemë dhe kërkoi për të sqaruar përmbajtjen e dy prej tyre. Bashkëbisedimi me këte grup turistësh ishte mjaft interesant, dy prej tyre pas tri vjetëve kërkuan përsëri takim me të rinjtë.  E veҫantë apo mbresëlënëse ka qenë pjesmarja e turistëve çekë në aksionin që zhvillonin të rinjtë në maj 2017 për pastrimin e territorit në Kanion rreth burimeve termale.  Në fund të aksionit u zhvillua një bisedë interesante duke shkëmbyer përgjigjet e pyetjeve që bëheshin nga të dy krahët.

 

Si e përjetuat atë moment dhe çfarë ndodhi më vonë? Mbani mend ndonjë detaj që ju bën të jeni shpresë plotë për të ardhmen?

Momenti më i bukur ka qenë dita e inaugurimit të investimit, realizuar nga Shoqata jonë me investimin e REC Albania, ku krahas frekuentuseve ditorë, të ftuarit specialë ishin maturantët e atij viti që krijuan momente shumë të bukura rinore, ku dy prej fotove të asaj dite pushtuan rrjetet sociale, por u botuan dhe në dy tre media të shkruara. Puna e bërë dhe investuar nga REC, pjesëmarrja e jashtëzakonshme dhe në rritje nga viti në vit i frekuentuseve të ujërave termale si dhe i turistëve dhe pse interesimi i organeve shtetërore por edhe i fondacioneve e i shoqatave të tjera që kanë mundësi investimi ka munguar totalish, por përsëri jam shumë shpresëdhenës  për të ardhmen  e ujërave termale, kryesisht dhe të gjashtë burimeve të tjera se do te vijë momenti që do të vihet dore dhe pse jemi shumë të vonuar.

 

A ja ka vlejtur zhvillimi i këtij projekti dhe çfarë mund të bëni më shumë se kaq?

Jo se projekti u realizua nga shoqata që drejtoj, por në rrethin e Përmetit ka qenë dhe është projekti më i realizuar me vlera, i cili ka kontribuar dhe do të kontribojë edhe për shumë vite të tjera në ndihmë të komunitetit të zonës por edhe të rritjes së numrit të turistëve.  Ky projekt, i cili sa ka filluar duhet të vazhdojë duke përfunduar dhe gjashte burimet e ngelur. Shuma e lekëve duke u bazuar tek investimi i parë  duhet të jetë modeste për këdo që do të kontribuojë.

Si Shoqat kemi bërë projektet për 6 burimet e ngelura dhe kemi aplikuar në disa institucione e shoqata, ku kemi patur besim se do të na mbeshtesnin duke parë dhe forcën dhe anën financiare të tyre. Dy herë kemi aplikuar tek AMShC,  por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigjen e Jo-së edhe pse në trajnime e takime kemi diskutuar për këtë problem, por nuk i kemi humbur shpresat.

Ju jeni një institucion që jo vetëm keni fuqinë e dhënies së investimit, por edhe koordinimin me të tjerët për t’u dhënë investimi.

Pyetjes se çfarë mund të bëni më shumë se kaq unë jap këtë përgjigje:

Ne si shoqatë nuk kontribojmë dot me investime, por në luginën e Kanionit kemi organizuar disa herë aksione të pastrimit të territorit për arsye se ka probleme, kemi bërë dhe do të bëjmë sensibilizime dhe aktivitete të ndryshme në shërbim të komunitetit, por në veҫanti të frekuentuesve të ujërave termale.

Duhen gjetur rrugët që të investohet, pak rëndësi ka se kush do t’i bëjë. Përfundimi i tyre do të krijojë kushte shumë të mira për t’u shfrytëzuar ujërat e çdo burimi nga frekuentuesit, do të rritet niveli i higjenës dhe pastërtisë, do të rritet edhe më shumë interesi i njerezve duke parë përmirësime.

Kjo do të bëjë që numri i frekuentuesve t’i kalojë mbi 40000 persona dhe numri i turistëve t’i kalojë mbi 20000 persona në vit.

Përfundimi i investimeve modeste do të hapin më shumë rrugën e turizmit shëndetësor, por edhe lëvizja çdo ditë në drejtim të Kanionit të Lengaricës do të ketë impakt në rritjen ekonomike të komunitetit në zonë por edhe në qytetin e Përmetit.

Lutemi që shteti të ndërhyjë me investim kapital për përmirësimin rrënjesor të shfrytëzimit të ujërave termale.

 

FOTO GALERI