TID Vlora (Tourism Improvement District)

Emri i Organizatës së Shoqërisë Civile:
TID Vlora (Tourism Improvement District) 

INTERVISTË ME:

Znj. Netilda Gunbardhi
Administratore – TID Vlora

Cili është projekti juaj më i suksesshëm?

“Rijetëzimi i Qendrës Historike të Vlorës”

Pas përfundimit të fazës restauruese, investim i Bashkisë Vlorë, AADF (Albanian American Development Foundation) dhe Qeverisë shqiptare, shoqata do të zhvillojë të gjitha aktivitetet që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zhvillimin ekonomik të zonës TID (Qendra Historike e Vlores), për rijetëzimin, promovimin, ofrimin e aktiviteteve strategjike e administruese si dhe ruajtjen e elementëve tradicionalë të trashëgimisë kulturore të kësaj zone.

 

Si lindi ideja për këtë projekt?

Ky projekt është i teti në Shqipëri. Pas implementimit me sukses të këtij projekti në qytetin e Shkodrës, Korcës, Tiranës, Krujës, Gjirokastrës e Beratit, u vendos që ky projekt të fillonte edhe në Vlorë falë investimit dhe mbeshtetjes së AADF (Albanian American Development Foundation), Bashkisë Vlorë dhe Qeverisë shqiptare. Shoqata TID Vlora, është një organizatë jo-fitimprurese e cila synon zgjerimin e zonës historike si një zonë vibrante, historike e inovative, një vend tërheqës i zhvillimit urban.

 

Si e kujtoni momentin kur vendosët të bëni një projekt të tillë? Çfarë nxiti dëshirën dhe fantazinë tuaj?

Qendra Historike e Vlorës, është një zonë me vlera të konsiderueshme historike për qytetin e Vlorës, me ndertesa të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, duke përfshirë në të 13 ndërtesa monument kulture të kategorisë së parë si: Muzeun e Pavarësisë, rrugën e Hebrejve, Muzeun Etnografik, Klubin Labëria, Kullën e Sahatit, etj.

Fatkeqësisht, kjo zonë e lavdishme, ishte lënë në harresë për një periudhë të gjatë kohe, objektet ishin rrënuar dhe i vetmi aktivitet që mbizotëronte në zonë ishte tregtimi i rrobave të përdorura. Kjo nxiti dëshirën për të rikthyer në identitet Qendrën e lavdishme historike të Vlorës.

Ky projekt synon të rivitalizojë, ruajë dhe zgjerojë zonën historike, ta kthejë këtë zonë në një atraksion turistik për vendasit e të huajt, në një destinacion mundësish për biznes e turizëm.

 

Cila grup-moshë përfshihet? A është e vështirë të punohet me partnerë? A është më mirë vetëm apo me partnerë?

Ky projekt rijetëzues synon përfshirjen e të gjitha grupmoshave duke realizuar aktivitete sociale, kulturore, argëtuese, promovuese, nxitje punesimi,etj.

Nuk mendoj se është e vështirë të punosh me partnerë të tjerë nëse ekziston konsensusi e bashkëpunimi për të arritur pikësynimet apo objektivat. Është arritje të koordinohesh me partnerë, pasi bashkohen idetë, vizionet dhe arrin të sjellësh diçka të bukur dhe me vlerë për komunitetin. Shoqata TID Vlora është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shoqatat dhe/ose organizatat shqiptare apo të huaja që lidhen me misionin e saj.

 

Si janë organizuar aktivitetet? Kujtoni ndonjë histori apo moment që ju ka lënë mbresa apo që keni hasur vështirësi gjatë zhvillimit të aktiviteteve?

Momentalisht po vepron projekti restaurues i Qendrës Historike Vlorë si: ndërtimi i fasadave, ndërtimi i çative, oxhaqeve, mureve të gurit,etj. Njerëzit mezi presin të hiqen skelat e ndërtimit për të parë si transformohen objektet. Shoqata TID Vlora ka zhvilluar dhe po zhvillon aktivitete informuese dhe njohëse të modelit TID/BID në zonë. Përmendim këtu aktivitetin fotografik ”24 orë TID/BID”, i cili nëpërmjet aparatit fotografik paraqiti zonën, godinat si ishin para fillimit të projektit dhe si po transformohen, vizita (study visit) në qytetet të cilat kanë implementuar modelin TID/BID për ta parë dhe prekur nga afër ecurinë, etj.

 

Si e përjetuat atë moment dhe çfarë ndodhi më vonë? Mbani mend ndonjë detaj që ju bën të jeni shpresë plotë për të ardhmen?

Është fantastike kur shikon si janë transformuar godinat e rrënuara tërësisht falë këtij projekti.

Vlora është një qytet i mrekullueshëm, i cili veç bukurive që i ka falur natyra ka edhe historinë e tij të lavdishme. Duke rivitalizuar dhe transformuar këtë zonë, duke bashkëvepruar me aktorë të ndryshëm, duke përmirësuar hapësirat publike, duke rritur mundësitë për biznes e punësim, kjo zonë që përfaqëson trashëgiminë e vyer historike të qytetit, do të rimarrë vlerat që i takojnë.

Optimizmi që shikon tek njerëzit, kënaqesia që ndiejnë kur vizitojnë modelet e tjera që kanë arritur sukses, mbështetja që të ofrojnë të bën të jesh shpresë plotë për të ardhmen.

 

A ja ka vlejtur zhvillimi i këtij projekti dhe çfarë mund të bëni më shumë se kaq?

Po, zhvillimi i këtij projekti ia ka vlejtur, pasi ky projekt po i rikthen vlerat që i takojnë Qendrës Historike. Pas përfundimit të fazës restauruese do të vijojë faza më e rëndësishme, e cila ka si objektiv rigjallërimin e zonës. Këtu përmendim: përfaqësimin, lobimin dhe mbrojtjen e interesave, marketingun e zonës, krijimin e hapësirave të reja të biznesit, mundësitë për punësim, krijimin e një zone më të pastër e më të sigurt, akses më të mirë, shoqërizim, etj.

 

FOTO GALERI