Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC)
INFORMACION KONTAKTI

Adresa:
Rruga "Frosina Plaku" Nr. 58,
Kati II, Tiranë
Harta dixhitale në Google Maps

Website: www.amshc.gov.al
E-mail: info@amshc.gov.al

Shërbim e-mail për stafin e AMSHC-së

Përgjigje për Pyetjet
Tuaja Të Shpeshta


Regjistrohuni në
"Bazën e të Dhënave të OJF-ve
të regjistruara në AMSHC"
(Ç'dobi kemi nga kjo?)

Bibliotekë virtuale informative


Observatori i Integrimeve Rajonale (ORI)
Databazë me 446 projekte rajonale dhe ndërkufitare ku marrin pjesë institucionet dhe organizatat shqiptare, të kompletuara me studime, analiza dhe raporte që trajtojnë integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.





VEPRIMTARI

Intervistë në Gazetën MAPO
(nga Aida Tuci)

13 Qershor 2012

Rudi Bobrati: AMSHC, projektet tona jo vetëm për Tiranën

U bënë 2 vjet që Rudi Bobrati është drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC). Me përvojën e punës në Perëndim ai ka krijuar kushte të favorshme për nisma qytetare në shërbim të komunitetit. Fillimi i punës ka qenë i vështirë për drejtorin Bobrati. U përball me paragjykimin e disa OJF-ve që vepronin në Shqipëri, të cilat mendonin se duke qenë në varësi të qeverisë, AMSHC-ja, do të vepronte me njëanshmëri. “Ajo që më bën më shumë krenar se gjithçka tjetër është fakti se koha tregoi të kundërtën. Me projektet që ne kemi mbështetur, kemi krijuar besimin se kriteri ynë është cilësia”. Në intervistën e tij për “Mapon”, Rudi Bobrati shpalos strategjinë e tij për zhvillimin e shoqërisë civile, burimet financiare dhe përpjekjet e ethshme për të siguruar të ardhura të tjera për projektet që do të mbështeten nga kjo agjenci.

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile është një strukturë e re, e ngritur nga qeveria. Pse lindi nevoja e krijimit të kësaj agjencie?

Krijimi i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile ishte një nevojë e kohës. Deri tani OJF (Organizata Jofitimprurëse) ekzistuese në Shqipëri mbështeteshin në veprimtarinë e tyre vetëm te donacionet, duke përjashtuar një pakicë të aktiviteteve të ndryshme që organizoheshin në bashkëpunim me ministritë; burimet e tjera vinin nga donatorë të huaj ndërkombëtarë që operojnë në Shqipëri. Mbështetja financiare, konsolidimi dhe fuqizimi i sektorit të tretë sollën nevojën e krijimit të kësaj agjencie, që si mision të saj ka nxitjen nëpërmjet asistencës financiare për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare. Edhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me vende të Bashkimit Europian solli si nevojë që edhe Shqipëria të kishte agjencinë e vet në mbështetje të shoqërisë civile. Gjithashtu, një numër vendesh ish-komuniste të Europës Lindore por edhe ato perëndimore e kanë një agjenci të tillë identike ose shumë të ngjashme. Për të gjitha këto arsye, në vitin 2009 u vendos që edhe në Shqipëri të ngrihej një strukturë e tillë.

Çfarë buxheti ka kjo agjenci për projektet dhe si shpërndahen ato?

Të ardhurat që ka kjo agjenci burojnë nga buxheti i shtetit, që ka një zë të veçantë për grantet e saj. Por ligji parashikon se krahas financimit nga buxheti i shtetit, AMSHC-ja mund të sigurojë edhe të ardhura të veta nëpërmjet veprimtarive të ligjshme që ushtron ose pasurive që administron, donacioneve të ndryshme, si dhe të ardhura të tjera që parashikohen me ligj. Të ardhurat e saj agjencia i shpërndan përmes granteve pas thirrjeve publike për projektet.

Keni arritur në këto dy vjet të krijoni burime të tjera?

Sado i madh të jetë buxheti i shtetit, ai nuk mjafton për mbështetjen e veprimtarive të OJF-ve që operojnë në Shqipëri. AMSHC-ja ka aplikuar këto vite në tri projekte të ndryshme ndërkombëtare, por nuk fituam. Sivjet po i vazhdojmë përpjekjet edhe më të ethshme për të siguruar fonde nga BE-ja, apo nga programe të ndryshme që shpall Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kemi një projekt për të mbledhur fonde për filantropinë (bamirësinë dhe vullnetarizmin). Në shoqërinë shqiptare nuk ka shumë traditë për veprimtari të tilla, ose janë sporadike. Ky projekt është një sfidë për ne.

Cilat kanë qenë projektet që ka mbështetur AMSHC-ja që kur filloi veprimtarinë?

Gjatë këtyre dy viteve agjencia ka bërë tri thirrje publike për aplikim nga OJF-të që operojnë në Shqipëri. Thirrja e parë është bërë në shtator të vitit 2010 për ato organizata që kanë si objekt të punës së tyre mbikëqyrjen e luftës kundër korrupsionit, luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trajtimit të viktimave të saj, dhunën në familje ndaj grave dhe fëmijëve, nxitjen e qytetarëve në veprimtaritë publike, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre në zhvillimin e komunitetit, zhvillimin e bashkëpunimit ndërsektorial dhe bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile, luftën kundër tregut informal të punës etj. Është interesant fakti që në këtë thirrje të parë ne organizuam për herë të parë në Shqipëri Panairin e Ideve. Kjo ishte një projekt që USAID e kishte aplikuar shumë vite më parë, por në Shqipëri nuk ishte zhvilluar asnjëherë. Kështu që me qëllimin për të qenë sa më transparentë, ne vendosëm që të ekspozojmë të gjitha projektet që u përzgjodhën nga Bordi Mbikëqyrës në thirrjen e parë publike. Kjo ekspozitë u hap në mjediset e hotel “Rogner”, ku iu krijua mundësia jo vetëm OJF-ve konkurrente, por edhe qytetarëve të thjeshtë që të njiheshin me projektet e paraqitura. Qëllimi i organizimit të këtij Panairi ishte që të mos kishte asnjë paragjykim për përzgjedhjen e projekteve që kishte bërë AMSHC-ja, dhe kjo ide rezultoi e suksesshme. Impakti që pati Panairi ishte shumë i madh. Thirrja e tretë publike është bërë në nëntor të 2011-ës dhe kishte si objekt, po ato që përmenda më lart. Dua ta veçoj thirrjen e dytë që u zhvillua në prag të hapjes së sezonit turistik në Shqipëri. Kjo thirrje ishte për ato OJF që kanë si objekt zhvillimin e turizmit dhe promovimin e trashëgimisë kulturore për të krijuar një mjedis sa më cilësor në funksion të turizmit, si pastrimin e tij, eliminimin e ndotjes akustike, ndërtimin e faciliteteve të përkohshme higjieno-sanitare, kulturën e shërbimit si një instrument në përmirësimin cilësor të zhvillimit të turizmit, si dhe nxjerrjen në pah të traditave tona kulturore. Çdo turist i huaj apo shqiptar ka vënë re se këta sektorë janë aktualisht problematikë në zhvillimin e turizmit shqiptar.

Ju aktualisht operoni me grante nga buxheti i shtetit, që siç konstatoni dhe ju, nuk janë të mjaftueshme. Kanë shfaqur interes OJF-të për të aplikuar me projekte në Agjencinë tuaj?

Po ka shumë prurje (aplikantë), sidomos nga qytetet e mëdha të vendit. Vetëm në thirrjen e tretë pati 222 aplikime, nga të cilat 69 u seleksionuan nga strukturat e AMSHC-së.

Cilat janë kriteret në përzgjedhjen e projekteve?

Kriteri kryesor është cilësia e projektit dhe kjo nuk vihet në diskutim. Një projekt që fitoi grant nga AMSHC-ja duhet të kalojë në dy faza. Faza e parë është ajo e përzgjedhjes nga grupet e specialistëve që kemi në AMSHC, të cilët vlerësojnë projektet sipas pikëve. Faza e dytë e përzgjedhjes është Bordi Mbikëqyrës. Ai shikon çdo projekt bashkangjitur dhe vlerësimin e grupit të specialistëve dhe merr vendimin për projektet fituese. Por stafi i specialistëve dhe bordi kanë patur si qëllim që krahas cilësisë, që siç thashë nuk ka vend për diskutim, t’i kushtohej rëndësi edhe shpërndarjes territoriale të projekteve. Është e ditur tashmë që ‘pjesën e luanit’ të fondeve që jepen për shoqëritë civile e marrin gjithmonë OJF-të e vendosura në Tiranë dhe rrallëherë nga këto fonde përfitojnë qytete të tjera të mëdha si Durrësi apo Shkodra. Nëse ka diçka që më jep kënaqësi në punën tonë, është fakti se projektet që kemi mbështetur janë të shpërndara që nga poshtë Vermoshit në Kelmend, deri në Ksamil të Sarandës. Por sërish mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme. AMSHC-ja së shpejti do të rifillojë turin promovues në gjithë Shqipërinë. Në turin e parë që zhvilluam në vitin 2010 shkuam pranë OJF-ve në qytetet kryesore të vendit, ku u dhamë informacion për AMSHC-në, veprimtarinë e saj, dokumentet kryesore që duhen për aplikim etj. Tani turi do të vijojë edhe në qytete të tjera me qëllim që veprimtaria e AMSHC-së të prekë gjithë Shqipërinë.

Boxe

Projekte në proces

Një nga projektet në proces të AMSHC-së është prodhimi i DVD, e cila do të përmbajë fragmente nga projektet më të mira të realizuara me mbështetjen e saj. Organizimi i një konference kombëtare për shoqërinë civile është gjithashtu në proces. Ndërkohë sapo ka përfunduar ngritja e një database ku janë regjistruar të gjitha OJF-të që operojnë në Shqipëri. “Regjistrimi i OJF-ve në faqen tonë është në interes të tyre, sepse ato njoftohen automatikisht për çdo thirrje të agjencisë përveç faktit që publikimi në faqen tonë u shërben edhe si një lloj reklame”, – thotë Bobrati.

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile

E filloi veprimtarinë në shtator të vitit 2010

Dy janë organet drejtuese të AMSHC-së:

Bordi Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë, emra të spikatur të fushave të ndryshme. Kryetare e bordit është Mira Meksi. Sipas ligjit, pesë nga nëntë anëtarët e Bordit vijnë nga shoqëria civile.

Drejtori ekzekutiv ka në varësi tre sektorë: sektorin e administrimit të projekteve dhe granteve dhe zhvillimit rajonal; sektorin e zhvillimit të projekteve, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe komunikimit, si dhe sektorin e financës dhe kontrollit të brendshëm.


Shërbim e-mail për stafin e AMSHC-së